«Plaga e Gurit» (17.01.2023)
Video-instalacion nga Mentor Berisha
Në kuadër të përvjetorit të vrasjes së Jusuf Gërvallës, në Kompleksin Memorial të Familjes Gërvalla në Dubovik, u realizua video-instalacioni me titull «Plaga e Gurit», nga artisti Mentor Berisha. Në ketë video-instalacion ndërthuren copëza imazhesh nga trashëgimia muzeale dhe poetike e Gërvallës, të cilat arrijnë të skicojnë peizazhe vizuale të kujtesës memoriale e letrare të tij, duke e shoqëruar edhe shikuesin nëpër ato gjurmë.
«Plaga e Gurit» përmban fragmente të poezive të Gërvallës, kryesisht ato nga cikli «Shenjat e shenjta», qe synojnë të shtresohen nëpër plane shumë-ngjyrëshe gurësh. Këto plane në video rikthejnë frymën poetike dhe “autorin si narrator” e dëshmitar kohe, nëpër gurët e tij, si ngjyrim plagësh.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe portreti pikturë i Jusuf Gërvallës, i cili do të jetë pjesë e përhershme e kompleksit memorial të familjes. Me një qasje origjinale, kjo pikturë shprehë më tepër se anën dydimensionale të saj. Mënyra e të pikturuarit përmes shpahtllës, portetit i krijon mundësinë që përmes dritë – hijes, karakteri i portretit të arrin të `transformohet`. Berisha është i njohur për përmbajtjen dhe kompozicionin shprehës drejt një rregulli të ri imazhor me nuanca të ekspresionizmit modern në pikturë, për forcën e thekshme në përzgjedhjen e ngjyrave, vendosjen specifike të dritës në copëza subimazhesh, përmes një praxis-i më të lirë e të hapur çastësor.
Ky projekt është realizuar nga NGO «Molla e Kuqe» dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.