POLIP FESTIVAL


MESAZH KURATORIAL
nga Aurela Kadriu
Festivali polip 2025
Mirësevini në edicionin e vitit 2025 të festivalit polip, që mbahet nën temën “Dhe prapë dielli lind: Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër histori, gjeografi…përtej mureve”.
Organizuar nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me Molla e Kuqe, edicioni i sivjetëm eksploron se si rezistencat – të rrënjosura në histori të afërta e të largëta – mund të kujtohen, riimagjinohen dhe ritregohen nëpërmjet artit.
Historia jonë është e shënjuar nga trazira politike, por për më tepër, nga shpirti i rezistencës. Në këtë, fatmirësisht nuk jemi vetëm. Nëpër botë, komunitete të ndryshme, gjithnjë janë ngritur kundër shtypjes. Secila prej këtyre kryengritjeve, ka pas vetes narrativën e vet të veçantë të guximit. Sot, teksa regjime autoritare po ringriten nëpër Evropë, na duhet t’i rivizitojmë këto tregime – jo si të kaluara të largëta, por si mësime të gjalla.
Ky edicion i festivalit është ftesë për të përqafuar fuqinë e artikulimit kreativ të rezistencave – jo vetëm për të hapur diskutime a për të nxjerrë kuptime, por edhe për të nderuar e njohur ata e ato që kanë guxuar të qëndrojnë në ballë të lëvizjeve shoqërore, të cilat janë bërë themeli i vlerave që sot i festojmë, por edhe na kërcënohen çdo ditë, duke prodhuar nevojë të përditshme për rezistencë e solidaritet. Përmes letërsisë, teatrit dhe një programi diskursiv, qëllimi ynë është t’ju japim jehonë këtyre zërave dhe të ofrojmë shpresë në kohë të pasigurta si këto që po i jetojmë.
Këtë vit, frymëzohemi nga vargjet e fuqishme të Migjenit: “Dhe prapë dielli lind / dhe rrezet e tij shkrepen nëpër ballnat tanë,” që duke pasë parasysh kontekstin në të cilin janë shkruar dhe vetë biografinë e autorit, nuk janë asgjë më pak se një thirrje për shpresë, për përbashkim e solidaritet. Një thirrje për më shumë besim në një agim të përbashkët, një agim më të mirë.
Jemi krenarë/e që për këtë edicion, kemi bashkuar forcat me Molla e Kuqe, një organizatë e pavarur kulturore që po menaxhon me Muzeun e Burgut të Idealit, i hapur rishtazi në Prishtinë. Së bashku, reflektojmë se si rezistencat – të kaluara e të tashme – mund të përkthehen në art që frymëzon, bën pyetje, dhe fundamentalisht, shëron.
Programi ynë hapet me shfaqjen “Hija e gjatë e Alois Brunner” [The Long Shadow of Alois Brunner] të Muddar Alhaggi, me regji të Omar Elerian, e cila tregon rrëfimin e një prej kriminelëve më famëkeq nazistë që i shpëtoi drejtësisë.
Po ashtu në Kino Armata shfaqim dokumentarin “Open Letters” të Katharina Dominice, që na çon në Zvicrën e vitit 1934, kur atje lëshoheshin lejeqëndrime sezonale për punëtorë emigrantë. Ky status ishte i dizajnuar ekskluzivisht vetëm për përmbushjen e nevojave të Zvicrës dhe impononte rregulla të ashpra për përfituesit. Punëtorët sezonalë nuk kishin të drejtë të marin me vete familjet e tyre dhe qëndrimi i tyre në Zvicër ishte i kufizuar në nëntë muaj për vit.
Shfaqja “Bëje ose vdis” është homazh për mbi 12 mijë ish të burgosur/a politikë/e nga Kosova në ish-Jugosllavi. Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, ndërtohet mbi themelin e rrëfimeve të ish të burgosurve politikë. Nga fillimi deri në fund të shfaqjes me regji të Blerta Nezirajt, këto materiale të ndjeshme trajtohen me dinjitetin që e meritojnë, duke e nderuar besimin dhe kurajon që nevojitet për të ndarë tregime personale nga burgu. Këtë shfaqje e prezantojmë në Muzeun Burgu i Idealit, në një përpjekje për të shkrirë hapësirën fizike dhe kujtesën në një përvojë të vetme për publikun.
Në çelitë e Burgut të Idealit prezantojmë një performancë ku aktorët do të lexojnë tregime të ish të burgosurve/ava politikë/e nga Kosova, duke krijuar një ballafaqim intim me zëra nga një e kaluar komplekse politike e aktivistëve/eve nga Kosova.
Dy diskutimet, “E kaluara që ndjek të ardhmen: Artikulimi kreativ i momentumeve historike” dhe “Sindroma e (jo)karakterit kryesor? Përfaqësimi i grave në letërsi” mbledhin artistë/e, shkrimtarë/e dhe studiues/e për të eksploruar ndërlidhjet ndërmjet betejave shoqërore dhe shprehjes artistike si dhe dukshmërinë dhe agjencinë e grave në letërsi qoftë si subjekte, qoftë si krijuese.
Të gjitha ngjarjet janë të hapura për publik. Mezi presim t’ju takojmë nga 15 deri më 17 maj në Teatrin ODA, Burgun e Idealit dhe Kino Armata, për të reflektuar, njohur e rezistuar, bashkë!
*** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** ***
PUNËTORI ME KRIJUESIT E RINJ TË TEATRIT NGA KOSOVA
Tema: Teatri dokumentar dhe puna kërkimore mbi materialet historike dhe autobiografike – me shkas shfaqjet:
„The Long Shadow of Alois Brunner“ dhe „Up There“
Data: 13 Maj 2025 | Vendi: Burgu i Idealit
Ora: 10:00 – 17:00
Gjuha e punëtorisë: Anglisht
Punëtori me: Mudar Alhaggi dhe Wael Kadour nga Kolektivi Ma’louba

Mbi shfaqjen HIJA E GJATË E ALOIS BRUNNER
The Long Shadow of Alois Brunner trajton historinë e vërtetë të njërit prej kriminelëve nazistë më të kërkuar që i shpëtoi drejtësisë. I përfshirë drejtpërdrejt në deportimin e mbi 120,000 hebrenjve në kampet e përqendrimit dhe geto; Alois Brunner i shpëtoi disa herë arrestimit – duke ikur në Damask, ku luajti rol kyç në konsolidimin e shërbimeve sekrete në Siri.
Gjysëm shekulli më vonë, dramaturgu sirian Mudar Alhaggi, si refugjat në Berlin, zbulon historinë e Brunner-it dhe fillon ta hulumtojë me përkushtim.
Në këtë dramë prekëse, dy aktorë përpiqen të rindërtojnë copëzat e kërkimeve të Alhaggi-t, ku përvoja personale, historia botërore, e vërteta dhe trillimi përplasen me njëra-tjetrën. „The Long Shadow of Alois Brunner“ eksploron ekzilin, përgjegjësinë dhe kujtesën politike – dhe fijet e ndërlikuara që lidhin të kaluarën me të tashmen.
Shfaqja ngre pyetje mbi strehimin, drejtësinë dhe shpresën.
Mbi shfaqjen: “UP THERE”
Një dramë e bazuar në dëshmitë e ish-të burgosureve në Siri dhe në dramën „Zonja nga Deti“nga Henrik Ibsen.
Në vitin 1991, në Siri, të burgosurat komuniste realizuan shfaqjen brenda burgut Zonja nga Deti të Henrik Ibsenit. Në vitin 2022 në Gjermani, dy gra nga ai grup, një dramaturge dhe një aktore, rrëfejnë në një skenë mbi atë ngjarje dhe përpiqen të ta kujtojnë mizanskenën e tyre.
Ndërmjet dy skenave janë tashmë 32 vite, 3,600 km, luftëra, disfata dhe valë të shumta emigracioni.
Në punëtori do të diskutohet rreth pyetjeve: Si dhe a mund të restaurohet konteksti? A mund arihet një imazh ndërmjet këtyre dy momenteve?
Wael Kadour ka diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve Dramatike në Damask në vitin 2005 dhe aktualisht jeton në Paris. Ka botuar disa drama në arabisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Nga viti 2016 bashkëpunon rregullisht me Collective Ma’louba dhe me Arabeska Teatern në Suedi.
Mudar Alhaggi studioi për teatrologji në Damask. Aktualisht jeton në Berlin, ku punon si autor dhe dramaturg i pavarur. Alhaggi shkruan edhe drama për radio dhe televizion. Nga viti 2017 është drejtues artistic i Collective Ma ‘louba.
*** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** ***
POLIP 2025 | 15.5.2025
Shfaqja teatrore: “Hija e gjatë e Alois Brunner” | “The Long Shadow of Alois Brunner”
Shfaqja “Hija e gjatë e Alois Brunner” trajton historinë e një oficeri SS-nazist dhe njërit nga bashkëpunëtorët më të afërt të Adolf Eichmann-it. Ai ishte përgjegjës për deportimin e hebrenjve nga shumë rajone, brenda e jashtë Gjermanisë, si dhe për vdekjen e më shumë se 120,000 personave. Pas luftës, Brunner u arratis në Siri dhe s`u arrestua kurrë. Kryesisht ishte vendosur në Damask dhe, sipas interpretimeve, u bë këshilltar i sigurisë i presidentit të atëhershëm sirian Hafez al-Assad.
Shfaqja është e mbushur me momente dramatike, rikthime në periudha historike dhe rrethana të veçanta dramatike. Elementi kërkimor ka një rol të rëndësishëm në këtë shfaqje, ku trupa teatrale fillon të reflektojë vazhdimisht mbi veten dhe materialin skenik. Ky teatralitet si një model i veçantë ndërthuret, komenton dhe lidh nivele të ndryshme të kuptimit. Aktorët përballen me fragmentimin e tekstit përmes përvojave personale, historive të të dy vendeve, si dhe të vërtetave dhe trillimeve të ndjeshme. Drama “Hija e Gjatë e Alois Brunner” eksploron temën e mërgimit, përgjegjësisë dhe kujtesës politike – aspektet komplekse që ndërthurin të kaluarën me të tashmen.
Prodhuar nga: Kolektivi “Ma’louba” në bashkëpunim me euro-szene Leipzig, Factory International dhe Theater an der Ruhr.
Dramaturg: Mudar Alhaggi
Regjia: Omar Elerian
Interpretojnë: Wael Kadour & Mohamad Al Rashi
Kolektivi Ma’louba është themeluar nga krijues teatrore sirianë që jetojnë në ekzil: në Berlin, Duisburg, Marsejë, Paris dhe vende të tjera. Përmes punës së tyre teatrore, ata vënë në pikëpyetje gjendjen politike dhe shoqërore të botës arabe dhe asaj evropiane me fokus ndryshimet shoqërore e më gjerë.
*** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** ***
POLIP 2025 | 16.5.2025
17:00 – 18:30 | BURGU I IDEALIT (Shëtitorja II)
Diskutim: E Kaluara që përndjek të ardhmen: Artikulim kreativ i momenteve historike
Me: Mudar Alhaggi, Wael Kadour, Mohamad Al Rashi
Moderator: Alban Beqiraj
*E hapur për publikun. Në anglisht.
*** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** ***
POLIP 2025 | 17.5.2025
18:00 – 19:00 | BURGU I IDEALIT (Në qeli)
Lexim: Tregime të ish-të burgosurve/ave politikë/e nga Kosova
Aktorë: Shpëtim Selmani, Adrian Morina, Semira Latifi
*E hapur për publikun. Në shqip.
*** ***
BËJE OSE VDIS
Një shfaqje-homazh për Ukshin Hotin
Më 17 maj 2025, nga ora 20:00 në Burgun e Idealit u dha shfaqja “Bëje ose vdis”, nga trupa e Teatrit “Hadi Shehu”, me regji të Blerta Neziraj.
“Bëje ose vdis” është një shfaqje-homazh për politikanin, intelektualin dhe profesorin e njohur shqiptar Ukshin Hoti, ish i burgosur politik në burgjet jugosllave e serbe. Ai ishte burgosur disa herë, në vitin 1981 për herë të parë, e së fundmi në vitin 1994. Zyrtarisht ngelet njëri nga mbi 1,500 të zhdukurit e luftës, kufomat të cilëve akoma nuk jan gjetur. Ukshin Hoti sot është kthyer në një simbol që sublimon fatin tragjik të atyre dhjetëra mijëra të burgosurve politik shqiptar, të vrarë e të torturuar burgjeve jugosllave e serbe. Por ai është poashtu edhe ëmblemë që reprezenton përpjekjen, përkushtimin, sakrificën e angazhimin politik për liri, barazi e dinjitet të popullit shqiptar, të atyre dhjetëra mijëra grave e burrave aktivist të ilegales shqiptare në Kosovë. Rezistenca, qëndresa dhe çmimi i lartë që ky brez idealistësh ka paguar në burgje, me krejt dritë-hijet, është bazamenti i republikës së Kosovës, por është edhe frymëzim për brezat që tani po rriten pa frikën se dikush mund t’i burgosë vetëm pse janë shqiptar.
Autor: Jeton Neziraj
Regjisore: Blerta Neziraj
Luajnë: Jahja Shehu, Ernest Malazogu, Edi Kastrati, Armend Smajli, Albulena Kryeziu Bokshi, Altina Kusari
Koreograf: Gjergj Prevazi
Kompozitor: Trimor Dhomi
Skenografia: Petrit Bakalli, Alice Vanini
Kostumografe: Ilirjana Loxha Basha

photocredits: Kushtrim Haxha
*** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** *** ***
