WHAT IS LIGHT FOR?

Post festum për qëndrimin e pianistit Marino Formenti, në Burgun e Idealit

Prishtina ishte me fat që prej 17 deri më 20 korrik, qëndroi për katër ditë e katër net pianisti me famë botërore Marino Formenti, në Burgun e Idealit, duke performuar nën moton “WHAT IS LIGHT FOR”?

Nga Afrim Demiri

Të rralla janë ngjarjet që një qyteti i japin epitetin e Qytetit të kulturës, pa qenë e shpallur kjo nga ndonjë organizatë si UNESCO, apo BE-ja, që praktikojnë këto nisma për të promovuar diversitetet kulturore si pasuri e përbashkët e qytetërimeve. Mirëpo Prishtina ishte me fat që prej 17 deri më 20 korrik, qëndroi për katër ditë e katër net pianisti me famë botërore Marino Formenti, në Burgun e Idealit, duke performuar nën moton “WHAT IS LIGHT FOR”?
Formenti ishte i ftuar nga Molla e Kuqe NGO, në kuadër të projektit për funksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2025.
Prania e tij fizike dhe artistike e krijoi një përmasë të denjë për një epitet të tillë. Kur gjithë kësaj i shtojmë që krejtësisht në një koiçidencë artistike ngjau të ndodhnin, në të njëjtën kohë edhe EtnoFesti në Kukaj si dhe koncerti i Armend Rexhepagiqit, në sheshin e kryeqytetit, atëherë korriku për Prishtinën ishte më se i begatshëm artistikisht përkundër thatësisë së vapës përvëluese.

Formenti: Unë jam medalion me tri fytyra

U dashtë të kalojnë katër ditë, që të mund ta shikoj qëndrimin katërditor të pianistit Marino Formenti në Burgun e idealit, nga një distancë emocionale dhe të mund të reflektoj për botën e tij krijuese aq të thellë të përcjellur me një filozofi jetësore, me një psikologji të rrallë dhe para se gjithash me një frymëzim artistik përtej klisheve.
E takova në shëtitoren e burgut derisa dialogonin me organizatorët Alban Beqirajn dhe Mentor Berishën, për kontekstualizimin artistik të performancës së tij, derisa kishte ardhur nga Vjena, që të identifikohej me fatin e mijra të burgosurëve politikë shqiptarë, që kishin vuajtur me dekada në këtë burg. Dhe ja që një artist italian synonte që hapësirën e burgut të shndërronte, ta transformonte nga burgu sa në një rrëfimtore, në një sallë ushtrimesh të një kryeartisti me amatotë, me studentë apo me kolegë, sa në një medium debatues me gazetarë, sa në një sallë kocentrale!
Ia kujtova se më kishte pëlqyer një thënie të tij se “nëpërmjet notave i shoh portretet e kompozitorëve”.
“Po, kam dëshirë që nëpërmjet emocioneve t’i përceptoj vijat e karaktereve”, pohoi ai duke vendosur një bashkëbisedim të çiltër. Në pyetjen se si kanë dëshirë të të shohin ty të tjerët, duke përjetuar artin tënd, Formenti pa hamendësim tha: “si një medalion me tri fytyra”, duke nxjerr në pah shumëdimensionalitetin e fuqisë së tij krijuese. Gjithçka në botën e tij e kishte hapësirën e vet, nota për të ishte më shumë se medium, kërkonte qasje filozofike, ai dallohej nga të tjerët se notën muzikore apo hapësirën artistike donte që ta shihte përtej kornizës edhe si ndjenjë edhe si përceptim. “Nuk ka qendër, Qendra është aty ku jam, aty ku krijoj, psh., tash Qendra është këtu, ne jemi Qendra”. Unë shikohem me Mentorin dhe me Albanin dhe sikur marrim forcë nga graviteti i Qendrës…

Photo credits: Kushtrim Haxha
<<KOHA: “What Is Light For?” burgos tingujt intimë të pianos në kujtesë e histori
<<RTK LIVE