NJERIU NË BURG I NUMËRON TË GJITHA
Më 2 Prill 2025
Ora 19:00
Muzeu i Prishtinës – Burgu i Idealit
Mbrëmja me titull „Njeriu në burg i numëron të gjitha“ shënon një nismë të re të aktiviteteve kulturore në Muzeun “Burgu i Idealit” në Prishtinë. Kjo hapje shpalosë një pjesë të shkrimeve dhe materialeve tjera të trashëguara nga ish-të burgosurit politikë gjatë periudhës jugosllave në Kosovë e më gjerë.
Motivi i numërimit si teknikë narrative – shpaloset në forma të ndryshme mbi përvojat e vështira dhe robërinë e të burgosurve, që paraqitet herë si mënyrë e rezistencës, solidaritetit dhe vuajtjes, e herë si formë e simbolikës, mbijetesës dhe forcës për t`u shprehur; duke theksuar e nënvizuar kështu aspektet kyçe të këtij kapitulli historik.
Kjo hapje synon që këto përjetime në hapësirën reale të bëhet më të prekshme për vizitorët, si dhe të tërheqin vëmendjen sa më të madhe për muzeun.
Organizata “Molla e Kuqe”, në kuadër të projektit për funksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitet 2025 dhe 2026, ka planifikuar një seri aktivitetesh nga fusha të kulturës dhe artit, që trajtojnë temat e kujtesës, narrativave mbi të kaluarën dhe transformimeve që e kanë karakterizuar këtë periudhë.
Hapja e kësaj mbrëmjeje me lexim skenik, performancë, videoinstalacion dhe rrëfime nga disa ish-të burgosur politikë, përkon edhe me përvjetorin e Demonstratave të vitit 1981, një ngjarje në historinë e rezistencës shqiptare në ish-Jugosllavi.
Pas hapjes, nga data 3 prill, “Burgu i Idealit” do të jetë i hapur për vizitorë në këtë orar zyrtar: E Martë – Shtunë nga 10:00 – 14:00.
Falënderim të veçantë për Pallati i Sporteve “Bill Clinton” – Ferizaj dhe Hotel Sirius – Prishtinë, për mbështetjen në aktivitetet tona.

